Bruksel – Të martën takimi i radhës Kosovë-Serbi

Avni Arifi, emëruar të premten shef i negociatave me Serbinë nga qeveria e Kosovës, ka bërë me dije se delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë pritet të rinisin takimet në Bruksel të martën e ardhshme, më 16 janar...

Bruksel – Të martën takimi i radhës Kosovë-Serbi

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë pritet të rinisin takimet në Bruksel të martën e ardhshme, më 16 janar.

Lajmin e ka bërë të ditur Avni Arifi, emëruar të premten shef i negociatave me Serbinë nga qeveria e Kosovës, në një prononcim për televizionin “Klan Kosova”.

“Që më 16 janar pritet të ketë takim në Bruksel dhe ne kemi filluar përgatitjet”, theksoi Arifi duke shtuar se takimet do të jenë treditore.

Ai tha se në ditët në vijim do të ketë më shumë informacione për sa i përket këtij takimi.

Sipas Arifit, bisedimet do t’i udhëheqë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa qeveria do ketë më shumë rol në implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Dialogu Kosovë-Serbi për çështje teknike ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë. Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, akord ky që parashikon formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. /ATSH



Lajme të ngjashme