Presidenti slloven kërkon nga Kosova ratifikimin e shpejtë të demarkacionit me Malin e Zi

Pahor është pritur nga presidenti Hashim Thaçi i cili u shpreh i bindur se Kosova do të bëjë ratifikimin e demarkacionit dhe do të përmbushë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Presidenti slloven kërkon nga Kosova ratifikimin e shpejtë të demarkacionit me Malin e Zi

Presidenti slloven kërkon nga Kosova ratifikimin e shpejtë të demarkacionit me Malin e Zi

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor kërkoi që Kosova të ratifikoj marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe të respektoj marrëveshjet e arritura me Serbinë. Ai këtë kërkesë e bëri gjatë vizitës në Kosovë dhe takimit me presidentin Hashim Thaçi.

“Ne presim që Kosova do të ratifikoj marrëveshjen dypalëshe mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe po ashtu do të respektoj marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Ne me rrethanat të cilat i vlerësojmë si të besueshme, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimorë do të jetë me i lehtë dhe më i suksesshëm”, ka thënë Pahor.

Pahor është pritur nga presidenti Hashim Thaçi i cili  u shpreh i bindur se Kosova do të bëjë ratifikimin e demarkacionit dhe do të përmbushë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Sa i përket çështjes së demarkacionit ajo çështje i takon Kosovës. Ne me Malin e Zi kemi raporte të shkëlqyeshme e gjeostrategjike. Po punojmë gjithashtu edhe më Serbinë që të implementojmë në tërësi të gjitha marrëveshjet e arritura na Bruksel. Gjithashtu që gjatë këtij viti të arrijmë edhe marrëveshjen tjetër historike, qe do të nënkuptonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin mes dy vendeve, si parakusht për integrimet evropiane”, është shprehur Thaçi.  

Presidentët po ashtu kanë potencuar se kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në nivelin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë, mes dy shteteve. Presidentët, Pahor e Thaçi komentuan edhe strategjinë e Bashkimit Evropian për zgjerim. Të dy thanë se e mirëpresin këtë dokument, edhe pse ka paqartësi dhe duhet përmirësuar.  Për nder të presidentit slloven Borut Pahor të martën, Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne.

***

Sllovenia model për ne, thotë presidenti Thaci

“Dhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës është një moment i duhur për të kujtuar mbështetjen e miqve që mundësuan jetësimin e aspiratës sonë për krijimin e shtetit të pavarur dhe Sovran”, ka shkruar presidenti Hashim Thaçi në Facebook, pas pritjes që i bëri presidentit slloven.

“Presidenti slloven, Borut Pahor, në të gjitha funksionet shtetërore mbështeti pavarësinë, shtet ndërtimin dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Vizita e tij është një rikonfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore.

Sllovenia mbetet model në rrugëtimin tonë dhe të shteteve tjera të rajonit drejt strukturave euroatlantike”, ka përfunduar Thaçi.

***

Zeka: Kompleksin memorial “Adem Jashari”, e ndërtoi një turk me para të veta

Opozita në Kuvendin e Kosovës ka akuzuar liderët e vendit, të cilët e kanë vënë në dyshim orientimin strategjik që ka Kosova, duke konfrontuar vazhdimisht me BE-në dhe SHBA-të. Deputetja nga LDK Vjosa Osmani ka kërkuar nga gjithë krerët institucional që të heqin dorë nga çfarëdo iniciative që e dëmton raportin me bashkësinë ndërkombëtare.

Ndërsa Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ngriti çështjen e shtëpive muze të Jasharajve, ku ka kërkuar ndërmarrjen e masave për t’i shpëtuar ato, ani pse në vitin 2016 ishte miratuar një amendament për ndarjen e buxhetit për konservimin e atyre shtëpive.

Kurse deputeti Milaim Zeka potencoi atë që sipas tij pak kush e di në Kosovë, se kompleksi i varrezave në memorialin në Prekaz nuk u ndërtua nga Qeveria e Kosovës.

“Varrezat ne Prekaz nuk janë bërë nga buxheti i Qeverisë, ato janë ndrequr nga një turk me para nga xhepi i vet”, ka thënë Zeka në foltoren e Parlamentit të Kosovës.

“Kur kam thënë se janë vjedhur pare edhe në varr të Adem Jasharit unë e kam ditur çka po flas”, ka shtuar ai.

Kohëve të fundit është raportuar se kulla e familjes Jashari është dëmtuar shumë dhe është pranë rrëzimit.

Kësaj kulle prej shumë kohësh është dashur t’i bëhet konservimi, gjë që nuk ka ndodhur.

***

Vetëvendosje zgjedh pesë anëtarë të rinj të Kryesisë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e parë të këtij viti si dhe mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm prej se është zgjedhur Albin Kurti kryetar.

Këshilli i Përgjithshëm mori vendim për pranimin e dorëheqjeve nga Kryesia e Lëvizjes dhe bëri plotësimin me 5 anëtarë të rinj që u votuan në mesin e 13 propozimeve për kandidatë.

Pesë anëtarët e rinj, prej të cilëve 3 gra e 2 burra, të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje të zgjedhur përmes votimit të fshehtë, janë: Mytaher Haskuka, Fitore Pacolli, Arben Vitia, Vlora Haxhimehmedi dhe Tinka Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e tyre që ta vendosin Kosovën në binarë të zhvillimit dhe forcimit. Kurti theksoi se janë një opozitë e fuqishme sa që mund të vënë në vështirësi cilëndo qeveri në nivel qendror apo lokal. Ai në fund ka dhënë një mesazh aktivistëve si dhe deputetëve të vetëvendosjes, që të jenë të kujdesshëm që të mos zhgënjejnë asnjërin prej tyre që kanë votuar. Kurti ka folur fjalë të mira edhe për udhëheqjen e ish kryetarit Visar Ymeri, i cili megjithatë, bashkë me të dorëhequrit e tjerë nuk ka marrë pjesë në mbledhje.

***

TVSH në kufi, proces jo i lehtë

Politikat fiskale në dekadën e fundit kanë përmirësuar ambientin e të bërit biznes në Kosovë, u tha në një debat për këtë çështje. Ministri i Financave, Bedri Hamza, në diskutimin për “Politikat Fiskale në 10 vite dhe mësimet për të ardhmen”, të organizuar nga Oda  Ekonomike Amerikane e Kosovës tha se ndryshimet e vazhdueshme që janë bërë në politikat fiskale kanë përmirësuar ambientin e të bërit biznes. Megjithatë sipas tij, kjo nuk mjafton.

“Nuk mjafton që të kemi vetëm politika fiskale të favorshme ka nevojë për sundim të rendit e ligjit ka nevojë për efikasitet të trajtim të lëndëve të gjykata ka nevojë që të ketë siguri për investimet e huaja”, ka thënë Hamza.

Hamza garantoi se reformat do të vazhdojnë edhe këtë vit. Ai tha se është e domosdoshme për bizneset që TVSh të mos paguhet në kufi, ndonëse nuk po e konsideron si proces të lehtë. Deputetja Mimoza Kusari-Lila, tha se shtetet mund të krijojnë buxhet të konsoliduar vetëm përmes zonave të lira ekonomike, edhe pse kjo formë nuk mbështet nga Bashkimi Evropian. Kurse për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm nevojiten disa gjëra.

“Nëse dëshirojmë të kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duhet të kemi stabilitet politik, se dyti thjeshtësimi të burokracisë dhe e pakontestueshme ulje të informalitetit”, ka potencuar znj. Lila.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se dogana ka ndihmuar në shtet-ndërtimin e Kosovës përmes të hyrave të gjeneruar nga ajo.

”Vetëm gjatë pesë viteve të fundit kanë arritur që të kenë 200 milionë euro taksa të cilat janë falë politikave fiskale”, ka thënë ai.

Ndryshimet në politikat fiskale që nga 1 janari i këtij viti vlerësohet se kanë sjellë rritje të menjëhershme të fitimeve.

***

Arsimtarët të gatshëm për protesta

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit SBAShK, gjatë një takimi të jashtëzakonshëm ka paraqitur veprimet sindikale që përfshijnë grevë një orësh më 14 dhe  20 shkurt për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së nënshkruar në mes SBAShK-ut dhe koalicionit qeveritar më 5 qershor 2017. Në marrëveshje është paraparë që brenda vitit 2017 të procedohet për miratim në Kuvend projektligji i hartuar nga MASHT lidhur me statusin e punëtoreve të arsimit për vitet e 90-ta.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, kërkoi nga përfaqësuesit e qeverisë që të përmbushet marrëveshja. Ai tha se nëse ndodhë ndryshe, atëherë më 20 shkurt, do të fillojnë me grevë një orësh.

Jasharaj, theksoi se janë të pakënaqur me qeverinë e Kosovës, por edhe për zhagitjen e zgjidhjes së shumë lëndëve që tashmë janë nëpër gjykata.

***

Protestuan punëtorët e Kek-ut

Dhjetëra punëtorë të KEK-ut, të mbledhur në kuadër të Sindikatës së Re të kësaj organizate,  protestuan me kërkesën e vetme për ngritjen e pagave në vlerë prej 100 euro në mënyrë lineare, që sipas tyre, ishte edhe premtim i mëhershëm i kryeministrit Ramush Haradinaj. Nexhat Llumnica, organizator i protestës, kërkoi përmbushjen e premtimit të Haradinajt:
“Kemi protestua më 1 maj, me dy gusht, për fjalën e Kryeministrit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës me 6 janar ka premtuar për rritje të pagave për 100 euro”

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Rafet Osmani  përveç rritjes së pagave kërkoi më shumë të drejta për punëtorët :

 “Përveç kushteve të rënda që ekspozohen punëtoret, qeveria ju ka borxh të ju njihet kontributi për vitet ‘90-‘99.

Protestuesit e KEK-ut paralajmëruan se nëse menaxhmenti i KEK-ut nuk reflekton ndaj kërkesave të tyre, do të vazhdohet me forma më radikale të protestimit.

***

Mbi 30% e qytetarëve të Kosovës presin njohje nga Serbia

Gjysma e qytetarëve të anketuar të Kosovës, mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka arritur të përmirësojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Këtë qëndrim e ndajnë pjesa më e madhe e qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe komunitetet e tjera, si dhe qytetarë serbë. Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës IKD, tha se 49 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen direkt të SHBA-së në këtë proces.

“Janë 45% e të anketuarve nga komuniteti serb që ndajnë qëndrimin se dialogu duhet të vazhdojë edhe pa përfshirje të SHBA-sëe në këtë proces, kundrejt vetëm 29% të qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe 24% nga komunitetet e tjera të cilët mendojnë të njëjtën gjë”, thotë ajo. 
Rezultatet e hulumtimit të këtij opinioni publik shpërfaqin se vetëm 1 për qind e qytetarëve serbë presin që Serbia do ta njohë shtetin e Kosovës, kurse 34 për qind të qytetarëve të komuniteteve të tjera presin njohje nga Serbia në përfundim të dialogut. Kurse Egzon Osmanaj, nga KDI, ka theksuar se një përqindje shumë e lartë e qytetarëve, përkatësisht 67 për qind e tyre, mendojnë se marrëveshjet e reja me Serbinë, duhet të diskutohen në Kuvend para nënshkrimit të tyre në Bruksel.

“Ndërsa janë 71% e komunitetit shqiptar dhe 56% e komuniteteve të tjera që ndajnë këtë qëndrim, vetëm 20% e komunitetit serb vlerësojnë që Kuvendi duhet të luajë këtë rol”, thotë ai.

Bazuar në sondazh,  mbi gjysma e qytetarëve të anketuar nuk presin që procesi i dialogut me Serbinë të përmbyllet gjatë vitit 2018.

***

Nënshkruhen kontratat e operatorëve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratat e operatorëve ekonomikë për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Gjilan.

Ministri Pal Lekaj, me rastin e nënshkrimit të kontratave të operatorëve, ka thënë se kjo nënkupton që shumë shpejt do të fillojnë punimet në materializimin e këtij projekti shumë domethënës për Gjilanin, por edhe për Kosovën dhe lidhjen e saj me korridore.

Lekaj ka thënë se nga çmimi fillestar për ketë projekt, buxhetit të Republikës së Kosovës i janë kursyer mbi 12 milionë euro, të holla këto që tashmë mund të alokohen për projekte të tjera.

“Po ashtu nga sa janë planifikuar të shpenzohen si çmim i projektit, mbi 41 milionë euro më pak kushtojnë kontratat e tetë operatorëve ekonomikë”, citohet të ketë thënë Lekaj.

“Ashtu siç e kam thënë nga fillimi, nuk kemi ardhur në Qeveri, respektivisht në Ministrinë e Infrastrukturës, për të bllokuar asnjë projekt mbi baza elektorale e partiake, siç na janë referuar ish-Qeveria në vazhdimësi, që sot janë në opozitë. Do të jemi të barabartë për të gjitha komunat dhe tërë Kosovën do ta trajtojmë njëjtë në kuptimin e shpërndarjes së projekteve infrastrukturore”, theksoi Lekaj.

Ministri në fund tha se për Gjilanin dhe qytetarët e saj kjo rrugë nënkupton komunikim me të shpejtë ekonomik e fizik me të gjithë vendin.

***

Akili i artë në Paris, Distria e bronztë, Kosova e shtata në botë

Xhudo kosovare vazhdon të tregojë suksese të mrekullueshme ndërkombëtare. Edhe pse në mungesë të Majlina Kelmendit, në “Grand Slemin” e Parisit ka arritur të marrë një të artë dhe një të bronztë.

Akil Gjakova e ka fituar të artën të shtunën pasdite deri në 73 kilogramë pasi e mundi xhudistin nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili, I cili është kampion olimpik, duke shënuar kështu suksesin më të madh të Kosovës në xhudon e meshkujve.

Triumfit të Akilit i është gëzuar jashtëzakonisht shumë trajneri Driton Kuka. Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo është dhurata e ekipit të tij për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë xhudistja, Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë.

Në renditjen e shteteve që fituan më së shumti medalje në Grand Slamin e Parisit, Kosova e vogël rangohet shumë lartë, në pozitën e shtatë, duke lënë pas saj shtete të mëdha si Kanadaja, Kina, Gjermania, Spanja, por edhe të gjitha shtetet e tjera ballkanike. Më së shumti medalje ka fituar Japonia gjithsej 6 të arta, pasojnë Koreja Jugore dhe Franca me nga dy të arta, kurse para vendit tonë ndodhen edhe Holanda, Britania e Madhe dhe Ukraina me nga një medalje të artë, por pak më shumë se Kosova medalje tjera.



Lajme të ngjashme