Zyrtari i lartë amerikan thotë se nuk ka plan të ri Kosovë-Serbi

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell, i ka hedhur poshtë spekulimet se ai do të prezantojë në Beograd një plan të ri rreth marrëdhënieve Kosovë Serbi.

Wess Mitchell_Ramush Haradinaj.jpg
Kosova meclisi olağanüstü oturum.jpg
Valdrin Lluka.JPG
Shpend Ahmeti_VV-den ayrılıyor.jpg
Kosova_öğretmenler greve gidiyor.jpg
Kosova-da arındırma süreci.jpg

Kosova në Fokusin Javor - Zyrtari i lartë amerikan thotë se nuk ka plan të ri Kosovë-Serbi

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell, i ka hedhur poshtë spekulimet se ai do të prezantojë në Beograd një plan të ri rreth marrëdhënieve Kosovë Serbi. Sipas tij, nuk ka asgjë nga ai plan që është raportuar në mediat serbe se kjo pako përmban këto pika: 1. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive; 2. Ky asociacion të jetë i lidhur me institucionet e Kosovës për një zëvendës-kryeministri që do të jetë nga komuniteti serb; 3. Serbia ta lejojë Kosovën që të anëtarësohet nëpër organizata ndërkombëtare dhe 4. Në këmbim të kësaj Serbisë t’i hapet dera për në BE dhe që të ketë përkrahje nga ShBA në arenën ndërkombëtare në fushat si ekonomia dhe politika”.

Mitchell ka shtuar se nuk ka ardhur në Ballkan të paraqes një plan konkret, por që ka kërkuar nga Kosova e Serbia të vazhdojnë dialogun që u mundëson anëtarësimin në BE.

“I kam parë këto spekulime, mund të ju them që nuk kam ardhur që të shpreh një plan specifik, por unë kam ardhur për t’i dhënë shtysë dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Mitchell.

E presidenti Hashim Thaçi gjatë një konference të përbashkët për media me Wess Mitchell, thekoi se kanë biseduar me zyrtarin amerikan të shtetit edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që në fund do të rezultojë me pajtim në mes dy shteteve. Por, Presidenti Thaçi potencoi se nuk do të lejohet asnjëherë ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve e as autonomi përbrenda shtetit të Kosovës.

“Nuk do të lejojë asnjë lloj të ndarjes, apo të shkëmbimit të territoreve, apo të një lloj autonomie. I gjithë ky proces duhet të përmbyllet sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por në raport të një perspektive e evropiane të relacioneve tona si shtet.”

Presidenti Hashim Thaçi si dhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell, kërkuan që sa më shpejt të përmbyllet çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët të fitojnë brenda këtij viti lëvizjen e lirë.

***

Për ushtrinë e Kosovës askush nuk mund të vë veto, thotë Mitchel

Ndihmës Sekretari amerikan bëri të ditur se me Thaçin diskutuan edhe për Ushtrinë.

Ai i dërgoi mesazh të qartë Beogradit, se për Ushtrinë e Kosovës askush nuk do të mund të vë veto.

“Kemi folur edhe për çështjen e sigurisë dhe i kam siguruar presidentit se askush nuk do të vë veto në çështjen e sigurisë. Amerika e ka mbështetur nga afër transformimin e FSK-së dhe do ta mbështesë në të gjitha nivelet. Në Beograd e dinë pozicionin e SHBA-së për këtë çështje”, tha Mitchell.

Wess Mitchell kërkoi që Kosova të vazhdojë edhe luftën ndaj korrupsionit.

Ai përfundoi fjalën e tij duke thënë se në gjithë këtë rrugë të gjatë, Kosova dhe Amerika do të jenë bashkë si partner të përhershëm.

***

Haradinaj: Ushtria dhe normalizimi me Serbinë, interes për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me Ndihmës Sekretarin amerikan, Wess Mitchell.

Në rrjetin social, Haradinaj ka shkruar se Kosova dhe SHBA-ja kanë miqësi të përhershme.

“Konfirmim i partneritetit strategjik dhe miqësisë së përhershme në takimin me Ndihmës Sekretarin amerikan, Wess Mitchell. E pazëvendësueshme mbështetja e ShBA-së për dinamikën e re të Kosovës, veçanërisht për integrimin në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, avancimin në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se prioritet i Kosovës vazhdon të mbetet krijimi i Ushtrisë dhe normalizimi i raporteve me Kosovën.

“Në funksion të ndërtimit të një klime paqësore e të sigurt, theksova se interes i veçantë i Kosovës është themelimi i ushtrisë dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar kryeministri i vendit.

***

Drejtori i Trepçës jep dorëheqje, ministri Lluka thotë se i ka skaduar mandati

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka reaguar pas dorëheqjes së drejtorit të Trepçës, Ahmet Tmava. Ky i fundit e kishte akuzuar ministrin Lluka për presion, duke theksuar se ia ka pamundësuar punën.

Por, këto pretendime po i hedh poshtë vet ministri Lluka.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë presion. Madje thotë se drejtorit tashmë të dorëhequr të Trepçës, i kishte skaduar mandati që nga 6 shkurt.

“Njëra nga arsyet ka qenë presioni i ministrit. Dua ta demantoj pasi që ai është një drejtor që i ka skaduar mandati”, ka thënë Lluka.

Duke demantuar akuzat e Tmavës për presion , Lluka ka treguar arsyet pse nuk ia ka miratuar kërkesën që Tmava të jap nënshkrimet për shpenzimet e Trepçës.

“Kërkesa e vetme ka qenë që ai të autorizohet për shpenzimet që i bën Trepça, dhe si rezultat ne nuk e kemi miratuar një gjë të tillë, përderisa nuk ka mandat. Si rezultat e kemi autorizuar zv. drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorin e financave që e ka marrë autorizimin për financat e Trepçës”, ka thënë tutje ministri i Ekonomisë.

Lluka ka theksuar se Trepça deri më tani është pa status të zgjidhur.

Ai ka thënë se janë në proces të formimit të bordit, që do ta paraqiste Trepçën si shoqëri aksionare.

***

ATK-ja mbledh të hyra më shumë sesa që kishte planifikuar

Administrata Tatimore e Kosovës është duke e rritur performancën në mbledhjen e të hyrave.

Për muajin Janar-Shkurt të vitit 2018 nga të hyrat e rregullta janë mbledhur afro 80 milion euro, njofton ATK.

“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për afro 11 milion euro apo 16 %.

Sipas ATK, rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, rol të rëndësishëm ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor, përmes së cilit bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore.

***

Azem Syla lirohet nga paraburgimi 

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit kundër Azem Sylës, duke e liruar të mbrohet në liri.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij mbrojtës, Besnik Berisha.

Berisha ka konfirmuar se Gjykata Themelore e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes për lirim të menjëhershëm të Sylës nga masa e paraburgimit.

Njoftimin për lirimin e Azem Sylës ndërkohë e ka bërë edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

***

Shpend Ahmeti largohet nga VV

Kryetari Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë dorëheqjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Prej sot, nuk jam më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”, me këtë fjali e ka përfunduar Ahmeti letrën e tij të gjatë me të cilën ka arsyetuar motivin pse e ka braktisur këtë parti pas shtatë vjetësh aktiviteti në të e nga e cila e nisi edhe mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka reaguar në rrjetin social për dorëheqjen e Ahmetit.

“I kujtoj sikur sot, aktivistët e vullnetarët që punuan pa u ndalur që sot Shpendi të jetë në mandatin e dytë si Kryetar i Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ata por mbi të gjitha qytetarët e Prishtinës, s'e merituan dorëheqjen tënde Shpend!”, ka shkruar ajo.

***

Arsimtarët sërish në grevë 

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe të Shkencës së Kosovës ka mbajtur grevë një ditore në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës.

Greva e së hënës është vazhdimësi e veprimeve sindikale të SBASHK-ut kohën e fundit, për shkak të mos-realizimit të kërkesave nga qeveria, ka thënë kreu i sindikatës së arsimtarëve, Rrahman Jasharaj.

Nëse kërkesat nuk do të realizohen edhe pas grevës, sipas vendimit të Kongresit të SBASHK-ut, greva do të përshkallëzohet në muajin prill, theksoi ai.

Jasharaj potencoi se kërkesa kryesore e grevistëve do të jetë dërgimi në Parlament i projektligjit për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta.

“Kërkesë tjetër e jona është që qeveria bashkë me institucionet lokale të punojë më shumë të realizohet kontrata kolektive pa pasur nevojë të shkohet nëpër gjykata. Kërkesë e tretë është që propozimi i SBASHK’ut dhe i MASHT’it lidhur me ligjin e pagave të pranohet...”

Nga greva, janë përjashtuar çerdhet, për arsye të përkujdesit për fëmijët, prindërit e të cilëve janë të punësuar.

***

Kompanitë austriake kërkojnë stabilitet politik

Kompanitë austriake e vlerësojnë Kosovën si ambient të përshtatshëm për investime, por, kërkojnë stabilitet politik, në mënyrë që ta kenë më të lehtë për të investuar. Kështu u tha gjatë prezantimit të “Barometrit të ekonomisë së Kosovës-Anketa e bizneseve austriake 2017-2018”.
Stabiliteti politik, siguri ligjore dhe punëtorë të kualifikuar, janë vetëm disa nga kërkesat e investuesve austriakë në Kosovë. Përfaqësuesi i zyrës ekonomike austriake, Peter Hasler, kërkoi që të punohet më shumë nga ana e qeverisë kosovare për të krijuar lehtësira për investuesit austriakë.
“Në një ekonomi moderne e të digjitalizuar, fuqia punëtore është vendimtare, jo të gjitha punët do t’i kryejë roboti, për ketë arsye jemi duke punuar në një projekt të arsimit profesional për të mundësuar rritjen e kapaciteteve të fuqisë punëtore në Kosovë.”
Ndërkaq, Safet Gërxheliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës,  tha se nuk mund të këtë stabilitet politike pa pasur ekonomi të zhvilluar.
Ky barometër që përfshin anketimin e mbi 100 kompanive austriake që operojnë në Kosovë, është realizuar nga Ambasada Austriake dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
***

Debate të ashpra në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

Seanca e jashtëzakonshme e iniciuar nga Vetëvendosje dhe LDK për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Cilësi në Arsimin e Lartë, është karakterizuar me debat të nxehtë mes qeverisë dhe deputetëve të opozitës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se vendimi për përjashtim erdhi pas shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, që sipas Hotit, ishte bërë me direktivat e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Mirëpo, kryeministri Haradinaj theksoi se anëtarët e bordit nuk janë shkarkuar pse janë të një partie. Por, siç tha ai, janë shkarkuar për gjendja e rëndë në arsim, përderisa ish kreun e Bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit Blerim Rexha, kryeministri e quajti hajn ordiner.

Për përjashtimin e Kosovës nga Regjistri Evropian për Cilësi, Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e ka bërë përgjegjëse qeverinë. Sipas tij, ky ishte një gabim i qeverisë dhe gabime të tilla duhet të ndëshkohen.

Debat i ashpër është zhvilluar edhe në mes të ministrit të arsimit dhe opozitës. Përderisa, opozita ka thënë se kjo qeveri i ka ditët e numëruar për shkak të dështimeve në menaxhimin e shtetit të Kosovës, ministri i Arsimit Shyqyri Bytyçi, ka fajësuar qeveritë e kaluara për shkatërrimin e sistemit arsimor në vend.

***

Projekt dy-milionësh për veriun

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri ka thënë se 7 komunat veriore të vendit përbëjnë pjesën më të varfër të Kosovës në të cilat qeveria po përpiqet të investojë vazhdimisht.

Demiri ka folur për një projekt prej dy milionë eurosh  në të cilin sipas tij  përfshihen të gjitha komunitetet.

Ai ka thënë se ky projekt ndihmon që të mund të hapen deri në 500 vende të reja të punës.

Ndërsa Rreze Duli, drejtoreshë e organizatës jo qeveritare ”ARDA”, tha se në vitin 2016 janë ndalur të gjitha projektet për veri dhe se atje mbretëron një depresion ekonomik.

Me marrëveshjen e Brukselit është paraparë të ndahen rreth 40 milionë euro për zhvillim ekonomik të veriut, pa përfshi këtu edhe mjetet që mblidhen nga të hyrat e pikave doganore në veri të Kosovës.

***

Kërkohet lustracion edhe në Kosovë 

Në 37 vjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981 është kërkuar nxjerrja e ligjit për lustracion. Në një tryezë të organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës, Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Shoqëria “Lëvizja”, njëri nga organizatorët e protestës së studentëve të 81-shit, Binak Ulaj tha se ligjin nuk mund ta nxjerrin ata të cilët vetë janë korruptuar. Kurse kryetari i shoqatës, “Lëvizja”, Xhevat Bislimi, tha se me ligj nuk synohet dënimi I askujt.

“Ne nuk kemi ndërmend si shoqatë, as shoqëri civile që të inicojmë diçka për të dënuar njerëz për hakmarrje, por kjo është që të parandalohet rikthimi siç janë rikthyer njerëzit që vërtetë janë përgjegjës  për dhunën dhe me këtë do të merret grupi që do të merret me përgatitjen e ligjit”, ka thënë ai.

Kurse historian Hakif Bajrami tha se Universiteti shkollor siç e quajti ish-rektorin Ejup Statovci, bëri një vepër që nuk ka bërë askush prej rektorëve në Evropë duke dalë para tankeve. Bajrami ka ngritur në piedestal edhe veprat e dy Ademave, Adem Demacit si dhe Adem Jasharit.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme