• Video galeri

SHBA – Tillerson: Detyra ime përfundon më 31 mars, do t’u jap lamtumirën kolegëve në Departament

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, bëri të ditur se detyra e tij do të marrë fund më datë 31 mars, një ditë pasi Presidenti Donald Trump njoftoi në “Twitter” zëvendësimin e tij nga shefi i CIA-s, Mike Pompeo...

SHBA – Tillerson: Detyra ime përfundon më 31 mars, do t’u jap lamtumirën kolegëve në Departament

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, bëri të ditur se detyra e tij do të marrë fund më datë 31 mars, një ditë pasi Presidenti Donald Trump njoftoi në “Twitter” zëvendësimin e tij nga shefi i CIA-s, Mike Pompeo.

Në një konferencë për shtyp nga Departamenti i Shtetit, Tillerson foli rreth shkarkimit të tij duke shpjeguar se Presidenti Trump e kishte telefonuar pasditen e së martës teksa udhëtonte për në Kaliforni me avionin “Air Force One”.

“Do t’u jap lamtumirën kolegëve në Departament. Të gjithë ne jemi betuar për të bërë detyrën tonë siç duhet. Unë s’kam dal jashtë betimit. Ushtria e SHBA-së na mbron. Si amerikanë, ne i jemi mirënjohës. Ne realizuam armëpushimin në Siri dhe shpëtuam jetët e mijëra njerëzve”, deklaroi ai.

Pasi theksoi se nënsekretari John Sullivan do të fillojë brenda ditës ushtrimin e detyrës së tij, Tillerson njoftoi se do të nisë punën për procesin e kalimit të detyrës tek Mike Pompeo, i porsaemëruar në postin e sekretarit të Shtetit.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Presidenti Trump dëshironte të ndryshonte ekipin e tij para negociatave me Korenë e Veriut.

Dhjetorin e kaluar, presidenti amerikan hodhi poshtë pretendimet se ditët e Tillersonit ishin të numëruara duke thënë se të dy bashkë punonin “shumë mirë”.

Por në një prononcim për median nga Shtëpia e Bardhë, përpara se të nisej për në Kaliforni, Trump deklaroi se kishte pasur disa probleme me sekretarin Tillerson.

“Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, u largua nga posti dhe do të zëvendësohet nga shefi i CIA-s, Mike Pompeo, që do të bëjë një punë fantastike! Faleminderit Rex Tillerson për shërbimin! Përgëzime të gjithëve!”, shkroi Trump të martën nga llogaria e tij në “Twitter”.

Presidenti Trump shtoi se Gina Haspel do të jetë shefja e re e CIA-s, e para grua që do të marrë drejtimin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA.



Lajme të ngjashme