KOMENT – Çfarë fati i pret evropianët në Britaninë e Madhe postBrexit?

T’i japësh fund parimit për qarkullimin e lirë të personave për të limituar fluksin e imigrantëve evropianë kanë qenë një prej motove kryesore të fushatës proBrexit.

KOMENT – Çfarë fati i pret evropianët në Britaninë e Madhe postBrexit?

Në momentin e hapjes, të hënën, të negociatave për divorcin, çfarë fati i pret tashmë më shumë se 3,6 milionë qytetarë evropianë, rezidentë në Britaninë e Madhe?

Qeveria britanike theksoi se do ta ketë prioritet këtë pyetje duke e vendosur në balancë të ardhmen e 1,2 milionë britanikëve të vendosur në 27 vende të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian përmendi gjithashtu një përparësi, por këmbënguli në kompleksitetin e kësaj çështjeje (siguria sociale, pensioni, …). Emigrantët ndjekin debatet me ankth dhe shqetësim.

Kush janë evropianët në Britaninë e Madhe?

Më shumë se 3,6 milionë qytetarë evropianë jetojnë në Britaninë e Madhe, një e treta e të cilëve në Londrën e madhe, sipas vlerësimeve të “Migration Observatory” i Universitetit të Oxfordit që mbështetet në shifrat e fundit të Zyrës kombëtare të Statistikave (ONS).

Vlerësimi i popullsisë së huaj është një mister pasi regjistrimi në konsullata nuk është i detyrueshëm.

Gjermania, Franca dhe Spanja vlerësojnë gjithashtu se numri i shtetasve të tyre të pranishëm në territorin britanik është rreth 300 000, pothuajse sa dyfishi i vlerësimeve zyrtare.

Me një milion persona, Polonia është, në shkallë të gjerë, kombi më i përfaqësuar evropian . Në vitin 2015, numri i tyre kaloi për herë të parë atë të personave të lindur në Indi dhe rezidentë në Britaninë e Madhe.

Ky fluks shpjegohet me faktin se Britania e Madhe ka qenë një prej shteteve të rralla anëtare që hapi menjëherë tregun e punës për polakët pas anëtarësimit të tyre në BE në vitin 2004.

Heqja e kufizimeve në janar 2014 ndaj bullgarëve dhe rumunëve prodhoi një klimë të ngjashme.

Kjo valë e njëpasnjëshme e imigracionit nga vendet e Lindjes ngjalli irritim, që u shfaq gjatë fushatës për Brexit.

Arsyet e imigracionit evropian në Britaninë e Madhe?

“Të gjitha studimet theksojnë se imigrantët evropianë shkojnë në Britaninë e Madhe për të punuar. Nga 3,6 milionë evropianë të pranishëm në Britaninë e Madhe, 2,2 milionë janë të punësuar”, sipas ONS-së.

Në vitin 2015, numri i të mbërriturve, të tërhequr nga një treg pune shumë dinamik dhe me një përqindje papunësie të  ulët, arriti në 73 për qind për punën dhe në 21 përqind për studimet.

Para referendumit, për të bindur britanikët të qëndrojnë në BE dhe për të garantuar euroskeptikët, qeveria konservatore propozoi kufizimin e qasjes për disa përfitime sociale për imigrantët evropianë.

Disa akuzojnë imigrantët evropianë se kanë kontribuar në uljen e pagave.

Por, sipas Jonathan Wadsworth, autor i një raporti për këtë çështje për “London School of Economics”, “të gjitha studimet tregojnë se imigracioni nuk ka asnjë ndikim në nivelin e pagave”.

Cila do të jetë e ardhmja?

Londra dhe 27 vendet e BE-së kanë njoftuar se do të zgjidhin me prioritet fatin e emigrantëve.

Por, pa larguar pikëpyetjet dhe shpeshherë frikën për një të ardhme të pasigurt, a do të duhet një vizë për të qarkulluar?

Një leje pune?

Të zgjedhësh kombësinë?

Përballë këtyre pyetjeve, kërkesat për t’u bërë qytetar britanik ose për të marrë një leje qëndrimi të përhershme kanë qenë të shumta që prej rezultatit të referendumit të njohur.

Por, shpesh është një ferr burokratik që prek kandidatët, veçanërisht për të kërkuar një leje qëndrimi, të rezervuar për ata që kanë qëndruar të paktën pesë vjet në Britaninë e Madhe.



Lajme të ngjashme