FMN-ja vendos nota pozitive për ekonominë e Shqipërisë

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi konsultimet mbi Artikullin IV me Shqipërinë dhe në raportin e publikuar nënvizohet se ekonomia e Shqipërisë vazhdon të forcohet...

FMN-ja vendos nota pozitive për ekonominë e Shqipërisë

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi konsultimet mbi Artikullin IV me Shqipërinë dhe në raportin e publikuar nënvizohet se ekonomia e Shqipërisë vazhdon të forcohet duke përfituar nga kërkesa e brendshme në rritje, investimet e huaja të drejtpërdrejta të mëdha e të lidhura më energjinë dhe një përmirësim në marrëdhëniet me partnerët kyç tregtar të BE-së.

Institucioni me bazë në Uashington vlerësoi se mandati i qartë i qeverisë pas fitores në zgjedhjet e qershorit, perspektiva e favorshme ekonomike dhe pritma për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE sigurojnë një dritare mundësish për të rifilluar zbatimin e agjendës së reformave.

“Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3,4% në 2016 dhe vazhdon të forcohet duke përfituar nga kërkesa e brendshme në rritje, investimet e huaja të drejtpërdrejta të mëdha e të lidhura më energjinë dhe një përmirësim në marrëdhëniet me partnerët kyç tregtar të BE-së”, citohet raporti.

Objektivat kryesore të politikës në rrethanat e tanishme, thotë FMN-ja, janë për të ruajtur stabilitetin makroekonomik e financiar, si dhe për të thelluar reformat strukturore dhe institucionale për të përshpejtuar ritmin e konvergjencës.

Sipas FMN-së, inflacioni llogaritet nën 2%. Defiçiti kryesisht financohet nga huatë dhe derdhjet e mëdha të investimeve të huaja të drejtpërdrejta. FMN-ja konstaton se rezervat valutore janë të mjaftueshme.

“Gjatë katër viteve të fundit është ulur cenueshmëria fiskale dhe financiare. Megjithatë niveli i lartë i borxhit publik dhe nevojat financiare, kreditë e këqija dhe reformimi i institucioneve mbeten një sfidë për investimet”, citohet raporti.

Në raport evidentohet se perspektiva afatmesme mbetet e favorshme.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të arrijë në 4%, nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe reformat që përmirësojnë klimën e biznesit”, thotë FMN-ja.

Mbështetja e donatorëve si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, sipas analizës së FMN-së, mund të çojnë në investime më të shumta dhe në një ringjallje më të madhe të kredisë.

Në krahun tjetër, politikat e brendshme të paqëndrueshme apo tronditjet e rritjes globale mund të rrezikojnë zbatimin e reformave dhe konsolidimin fiskal.

Pas mbylljen me sukses të programit trevjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar në shkurt të këtij viti, qeveria shqiptare vendosi të kalojë në një marrëdhënie të re me FMN-në, ku Fondi nuk do të ketë me rol imponues në politikat ekonomike të qeverisë, por vetëm këshillues. /ATSH



Lajme të ngjashme