Trump: Sanksionet ndaj naftës iraniane do të jenë graduale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump tha se sanksionet ndaj tregtisë së naftës iraniane do ti zbatojnë duke i shtrirë ato në kohë.

Trump: Sanksionet ndaj naftës iraniane do të jenë graduale

Në deklaratat që bëri në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me risjelljen ne fuqi të sanksioneve kundër Iranit, Trump sqaroi se eksporti i naftës iraniane është vlerësuar veçmas nga paketa e sanksioneve në tërësi.

Trump deklaroi se ata kishin marrë një pozicion shumë të fortë dhe të ashpër kundër Iranit.

"Ne kemi sjellë (për Iranin) sanksionet më të forta deri tani, por ne duam të përparojmë pak më ngadalë në çështjen e naftës, pasi nuk do të doja që çmimet e naftës të rriteshin në botë", u tha Trump gazetarëve.

Pasi dha sinjalin se ShBA-ja do të ndjekë një qëndrim të kujdesshëm në lidhje me çmimet e naftës, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha:

"Kjo nuk ka të bëjë fare me Iranin, unë mund ta çoj menjëherë në zero (eksportin) naftën e Iranit, por kjo do të shkaktonte një tronditje të tregjeve. Nuk dua që çmimet e naftës të rriten".

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në llogarinë e tij në Twitter bëri një postim në arabisht lidhur me sanksionet kundër Iranit.  

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në solidaritet me popullin iranian. Populli iranian është ai që prej rreth 40 vjetësh ka vuajtur më së shumti nga menaxhimi i keq ekonomik dhe korrupsioni. Ndryshe nga ajo që thotë regjimi iranian, sanksionet nuk përfshijnë blerjen e ushqimeve, produkteve bujqësore, ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore”, shkruan Pompeo.

Të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) rivendosën në fuqi fazën e dytë të sanksioneve kundër Iranit, të cilat përfshijnë sektorët e energjisë, financimit dhe transportit me anije. Këto sanksione ishin hequr me marrëveshjen nukleare të arritur në vitin 2015 ndërmjet Iranit dhe grupit P5+1.

 


Lajme të ngjashme