THY do të transportojë prodhimet afgane në Evropë

Produktet afgane, që do të sillen në Turqi me fluturimet e rregullta “Balkh-Stamboll” të linjave ajrore turke “Turkish Airlines” (THY), do të shiten në tregun e Evropës.

THY do të transportojë prodhimet afgane në Evropë

Avioni i THY-së në fluturimin “Balkh-Stamboll” që bëri sot, transportoi për herë të parë prodhime afgane. Me këtë rast në aeroportin ndërkombëtar “Mazar-i Sharif” të Balkh-it (një provincë në veri të Afganistanit) u organizua edhe një ceremoni.

Prefekti i Balkh-it, Ishak Rehguzar në fjalën që mbajti këtu tha se Qeveria po bën punime të rëndësishme për rritjen e eksportit të mallrave afgane.

Prodhimet afgane sot eksportohen me rrugë tokësore, detare dhe ajrore,- u shpreh Rehguzar, duke shtuar se kjo luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

“Me fluturimin që do të realizohet sot me kompaninë THY, 5 tonë fruta të thata do të dërgohen në Londër përmes Stambollit”,- deklaroi prefekti Rehguzar.

Kurse Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Mazar-i Sharif, Sevki Seçkin Alpay nga ana e tij tha se popujt turk dhe afgan janë miq dhe vëllezër, lidhja ndërmjet dy popujve e merr fuqinë nga kultura dhe historia rrënjësore e përbashkët.

“Bashkëpunimi ekonomik vjen duke u fuqizuar çdo vit e më shumë dhe kontribuon në mirëqenien e vendeve tona dhe të hapësirës së përbashkët gjeografike. Po të kemi parasysh se sa e fuqishme është lidhja ndërmjet mirëqenies dhe sigurisë, kuptohet shumë qartë se çfarë kontributi do të japë forcimi i bashkëpunimit ekonomik edhe në vendosjen e qetësisë, krahas dobisë ekonomike”,- u shpreh Alpay.

“Në kuadër të kësaj ne ndjejmë një kënaqësi të madhe,- e vijoi fjalën e tij Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë Sevki Seçkin Alpay,- për fillimin e fluturimeve direkte të THY-së ndërmjet Mazar-i Sharif dhe Stambollit në vitin 2013, duke hapur kështu korridorin e parë ajror ndërmjet dy vendeve dhe teksa shikojmë që shtysa që ka fituar ky bashkëpunim me vënien në punë edhe të rrugës tokësore “Lapis-Lazuli” vazhdon të rritet gjithnjë e më shumë”.



Lajme të ngjashme