• Video galeri

14 gjëra që një i huaj ju këshillon të përjetoni në Tiranë

Në shkrimin e publikuar nga “The Minismalist Ninja” të ilustruar me foto të ndryshme vihen re lokalitet e pëlqyera të Tiranës nga syri i një të huaje.

14 gjëra që një i huaj ju këshillon të përjetoni në Tiranë

Nuk kisha qenë kurrë në Shqipëri dhe mezi prisja të eksploroja kryeqytetin e saj, Tiranën. Para vizitës sime, lexova për këtë qytet, historinë e tij dhe gjërat që mund të zbuloja dhe tani mund të them se ky qytet më surprizoi, shkruan e dërguara për theminimalistninja.com.

Tirana është pabesueshmërisht plot ngjyra, çdokënd që takova më priti me dashuri, ndërkohë që hëngra disa nga frutat dhe perimet më të mira. Arkitektura e qyteteve të Shqipërisë është e ndikuar nga ish-regjimet, ndërkohë që në çdo cep shihje të ashtuquajturin ”arti i rrugës”. Tirana është një qytet i mrekullueshëm dhe ia vlen ta vizitosh!

Më poshtë renditen 14 gjërat më të mira, ndërkohë që jeni në Tiranë:

1. Hipni në teleferikun ”Dajti Ekspres”

Në periferi të qytetit ndodhet mali i Dajtit dhe ju mund të shkoni në majën e tij për 15 minuta. Për çmimet dhe informacione shtesë ju mund të përdorni faqen e facebook të ”Dajti Ekspres”. Te ky mal mund të shkohet edhe me makinë.

2. Eksploroni parkun ”Rinia”

Parku ”Rinia” është një lulishte gjigante në zemër të Tiranës, i ndërtuar në epokën komuniste. Parku ka shatërvan, ka Monumentin e Pavarësisë dhe instalacionin ”I love Tirana”.

3. Vizitoni Monumentin e Pavarësisë

Ky monument mund të gjendet të parku ”Rinia”. Ai u ndërtua në vitin 2012 si simbol i 100-vjetorit të pavarësisë. Mënyra e ndërtimit të tij simbolizon rrugën e Shqipërisë drejt pavarësisë. Edhe pse nuk pata mundësinë ta shoh në mbrëmje, ai është shumë i bukur edhe kur e sheh gjatë ditës.

4. Shihni monumentin me një fragment nga Muri i Berlinit

Ky monument ka një fragment nga Muri i Berlint, që ishte një dhuratë e bashkisë së Berlinit për popullin shqiptar, ka një bunker dhe një pezul betoni nga Spaçi, një kamp për punë të detyruar për të burgosurit politikë. Nëse jeni të interesuar për historinë e Shqipërisë atëhere ia vlen kjo vizitë në këtë monument.

5. Eksploroni Piramidën

Piramida u ndërtua si një nderim për Enver Hoxhën, ish-liderin komunist të Shqipërisë, i cili drejtoi vendin nga 1944 deri në 1985. Me kalimin e viteve kjo hapësirë u shndërrua në një qendër takimesh dhe më vonë në një stacion televiziv. Nëse nuk e keni problem ngjitjen, ju mund të shkoni në majë të saj dhe të shihni një pamje mbresuese!

6. Relaksohuni në Parkun e Madh

Parku i Madh shtrihet pranë një liqeni artificial, në jug të kryeqytetit. Atje ka një kishë, zona për të luajtur, monumente të ndryshme, bare të vogla dhe restorante. Ne shpenzuam disa orë atje dhe unë u kënaqa sidomos me ecje përgjatë gjithë parkut. Nëse i doni parqet duhet të shkoni atje, është e pabesueshme!

7. Vizitoni BUNK’ART 2

Në nëntor 2016 BUNK’ART 2 hapi dyert e tij si një muzeum që rindërton historinë e Ministrisë shqiptare të Punëve të Brendshme dhe tmerret që Enver Hoxha u shkaktoi shqiptarëve. BUNK’ART 2 ndodhet në qendër të qytetit, ndërkohë që BUNK’ART 1 është më larg, pranë Dajtit. BUNK’ART 1 dhe BUNK’ART 2 fokusohen në pjesë të ndryshme të historisë së Shqipërisë. BUNK’ART 1 fokusohet në jetën e përditshme të shqiptarëve gjatë regjimit komunist.

8. Hajini të gjitha frutat dhe perimet

Të gjitha frutat dhe perimet që gjeni në dyqane, supermarkete dhe shitësit e rrugës janë vendase. Bleva ca karrota në një dyqan dhe ishin nga më të shijshmet që kisha ngrënë ndonjëherë. Mollët kanë aromë dhe duken tamam si mollë, ndërkohë që patatet janë ”të veshura” nga dheu i shëndetshëm. Nëse jeni adhurues i frutave dhe perimeve të freskëta, atëhere ju do ta dashuroni Tiranën.

9. Zbuloni ”artin e rrugës” të Tiranës

Ekziston një ”art rruge” në të gjithë qytetin, sidomos te kabinat elektrike. Pashë shumë prej tyre dhe të gjitha janë vizatuar me të gjitha ngjyrat e ylberit. U kënaqa shumë duke i fotografuar!

10. Përkrahje ndaj restoranteve vegjetariane

Kuzhina tradicionale shqiptare është e rënduar me mish, qumësht dhe djath, pra jo shumë miqësore ndaj vegjetarianëve. Kudo që shkova, sugjerova mbështjetjen ndaj restoranteve vegjetariane. CityArt është një bar i këndshëm që ofron edhe burgera vegjetarianë.

11. Mahnitje me arkitekturën e Tiranës

Kryeministri Edi Rama, artist, politikan dhe shkrimtar, u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2001 dhe vendosi lyerjen e godinave dhe pallateve të vjetra ngjyrë gri. Pallatet e lyera plot ngjyra që shtrihen në rrugët e Tiranës i bënë qytetarët e saj të shihnin këto ndërtesa me një sy tjetër, i nxitën të kalonin më shumë kohë jashtë tyre dhe ndikuan deri në uljen e nivelit të krimit. Sot, ky qytet ka një mal me ndërtesa të tilla shumëngjyrëshe.

12. Vizitoni muzeumin Komiteti Kafe

Një ditë para se të largoheshim, na ftuan te muzeumi Komiteti Kafe. Ishte një nga kafenetë më të mira që kam parë në jetën time. A e dini se çfarë e bën atë të veçantë? Interiori dhe dekori. Pjesa më e madhe e objekteve vijnë nga epoka komuniste. Ky bar ka edhe një pjesë jashtë tij dhe në të, si pjesa më e madhe e kafeneve, nuk lejohet duhani, çka është një gjë e mrekullueshme!

13. Blini produkte te Pazari i Ri

Ky treg, që ekziston që nga viti 1931, u prish, u rikonstruktua dhe i rinovua. Prej një kohe të gjatë, ai është tregu kryesor i mishit, peshkut, frutave dhe perimeve në Tiranë. Ju gjeni atje fruta dhe perime lokale, mish, peshk, djath dhe shumë gjëra tradicionale.

14. Provojini të gjitha llojet e fiqve

Fiqtë shtrihen në të gjithë vendin dhe janë pafund gjatë muajve të verës. Ka shumë varietete dhe ju mund të gjeni reçel fiku, gliko fiku, fiq me arra si edhe fiq të thatë. Shkoni te Pazari i Ri për përzgjedhjen më të mirë. Fiqtë me arra janë më të shtrenjtit, por, oh sa të shijshëm!

”Absolutisht e dua Tiranën, është një nga qytetet më të mira që kam vizituar. Aty gjen edhe Berlinin, Londrën, Nju Jorkun, Budapestin dhe Krakovin. Nëse e keni planifikuar të shkoni, shkoni. Unë po bëj plane të rikthehem”, përfundon e dërguara për theminimalistninja.com.



Lajme të ngjashme