Shtypi turk 19.06.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 19 qershor 2017:

Shtypi turk 19.06.2017

“Vatan”: Vula turke në Paris Air Show

Panairi më i madh në botë i aviacionit dhe aeronautikës, Paris Air Show, hapi sot dyert në Aeroportin Le Bourget. Në panairin ku ekspozohen prodhimet më të fundit të industrisë së aviacionit, këtë vit do të dominojnë prodhimet e Industrisë së Aviacionit Turk (TAI). Turqia do të ekspozojë në Paris Air Show mjetet ajrore që i ka prodhuar vetë. Në panair do të realizohet një fluturim demonstrues i HURKUS (Hürkuş), i cili është një avion i stërvitjes themelore i gjeneratës së re i dizajnuar dhe prodhuar nga TAI. Gjithashtu do të ekspozohet edhe helikopteri T625, i cili do të ngrihet në qiell vitin e ardhshëm. Ky helikopter është me 12 kolltukë kapacitet, 6 ton i rëndë dhe mund të përdoret për qëllime civile ose ushtarake. TAI do të ekspozojë T129 ATAK në ambientin statik ku do të ekspozohet edhe ANKA-S që është kthyer në një mjet fluturues pa pilot.

“Habertürk”: Marrëveshja për F-35 ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë

11 vende ndër të cilat edhe Turqia kanë bërë marrëveshje për blerjen e të paktën 440 avionëve reaktivë F-35. Bëhet e ditur se marrëveshja, që pritet të ketë një vlerë 37 miliardë dollarëshe, është një rekord. Avionët fantazmë që kanë filluar të prodhohen që nga viti 2006, do të ekspozohen në Panairin e Aviacionit në Paris në mënyrë të rinovuar dhe me teknologjinë e fundit. Javën e kaluar, autoritetet e 11 vendeve që kërkojnë të blejnë avionët F-35 u takuan në qytetin Baltimore të Maryland në Shtetet e Bashkuara të Amrikës, ku inspektuan dhe panë kushtet në kompleksin e Northrop Grumman që prodhon pajisjet e reaktivëve F-35. Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësuesit e Turqisë, Austrisë, Danimarkës, Izraelit, Italisë, Japonisë, Holandës, Koresë së Jugut, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Star”: Ushtarët turq do të bëjnë manovra të përbashkëta me ushtrinë e Katarit.

Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Turqisë dhe Katarit, ushtarët turq që ishin nisur për në Katar arritën në rajon. Ushtarët turq (Mehmetçik) do të realizojnë një sërë stërvitjesh dhe manovra të përbashkëta me ushtrinë e Katarit. Institucioni i njohur mediatik i Katarit, Al Jazeera informoi tërë botën se njësia turke mbërriti në rajon dhe do të realizojë një sërë stërvitjesh dhe manovra së bashku me ushtrinë e Katarit. Shumë vende të Gjirit Persik duke filluar nga Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Jemeni ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe deklaruan se kanë ndërmarrë disa sanksione ndaj këtij vendi. Pas këtyre deklaratave me votimin e bërë në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) ishte miratuar vendimi për të dërguar ushtarë në Katar.

“Sabah”: Anija e dhembshurisë në udhë drejt Gazës

Anija 'Acqua Stella', e cila do të dërgojë 10 mijë e 600 ton ndihma humanitare për Gazën, që mbahet nën bllokadë nga Izraeli, filloi dje udhëtimin. Krahas ushqimeve, ndër ndihmat humanitare ka edhe lodra dhe biçikleta për fëmijët si dhe veshje të reja për bajramin. Kështu që fëmijët palestinezë i pret një bajram i bukur. Në anije ka 18 mijë e 100 lodra, 32 sete kancelarie, 50 mijë kuti me ushqime të ndryshme, 5 ton miell, 100 ton biskota dhe kek, 50 mijë veshje, 1 mijë veshje për bajramin dhe 1 mijë e 10 biçikleta.

“Yeni Şafak”: Në Danimarkë islami shpjegohet me trëndafila

Të rinjtë e Komunitetit Islamik në Danimarkë, në sheshin e bashkisë, në çadrën ku kishin vendosur minare simbolike, zhvilluan aktivitetin “Unë jam mysliman”. Të rinjtë mundohen të eliminojnë imazhin dhe paragjykimet negative që zënë vend në media kundër islamit dhe myslimanëve dhe duke shpërndarë trëndafila i shpjeguan kalimtarëve islamin dhe myslimanët. Të rinjve vullnetarë, qytetarët dhe turistët i dhanë reagime pozitive. Nga ana e Komunitetit Islamik në Danimarkë, 6 vitet e fundit zhvillohen aktivitete të ndryshme për ti shpjeguar danezëve islamin dhe myslimanët. Ky komunitet edhe gjatë muajve të dimrit duke i shpërndarë kakao të ngrohtë dhe bukë qytetarëve u mundua të japë një imazh pozitiv për islamin dhe myslimanët.



Lajme të ngjashme