Turqia zhvillon stërvitjen më të madhe detare

Stërvitja “Ujku i detit-2019” (Denizkurdu) zhvillohet njëherësh në detet e Mesdheut, Egjeut dhe të Zi me pjesëmarrjen e 131 anijeve, 57 avionëve dhe 33 helikopterëve.

Flota turke

Turqia filloi të hënën stërvitjen më të madhe të planifikuar në historinë e saj, “Ujku i detit-2019” (Denizkurdu). Stërvitja realizohet njëherësh në të tre detet që e rrethojnë Anadollin, detin Mesdhe, detin Egje dhe detin e Zi. Në stërvitje marrin pjesë 131 anije, 57 avionë dhe 33 helikopterë ushtarakë, sipas një komunikate të Shtabit të Përgjithshëm. Stërvitja është planifikuar nga Forcat Detare në kuadër të Programit Vjetor të Stërvitjeve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke dhe do të komandohet e kontrollohet nga Komanda e Qendrës së Luftës Detare. Kjo është hera e parë që një stërvitje kaq e madhe realizohet njëherësh në tre dete, Mesdhe, Egje, Zi. Një nga qëllimet e stërvitjes është të rritë nivelin e përgatitjes operacionale të njësive, anijeve dhe mjeteve ajrore detare që janë pjesë e Komandës së Forcave Detare. Pjesa e stërvitjes që përfshin Mesdheun zhvillohet me një pjesëmarrje të lartë të anijeve, avionit të patrullimit detar dhe helikopterëve detarë, mjete të cilat rrallë vihen re në flotat më të zhvilluara. Stërvitja do të vazhdojë deri më 25 maj.


Fjalët Kyçe: ushtria turke , Mesdheu Lindor , stërvitje ushtarake , Ujku i Detit-2019