Johannes Hahn: BE-ja të kërkojë forma të reja partneriteti me Turqinë

Mungesa e progresit në negociatat e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian duhet të nxisë Unionin që të kërkojë një marrëdhënie më realiste me Ankaranë, deklaroi zyrtari më i lartë i BE-së për politikën e zgjerimit, Johannes Hahn...

Johannes Hahn: BE-ja të kërkojë forma të reja partneriteti me Turqinë

Mungesa e progresit në negociatat e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian duhet të nxisë Unionin që të kërkojë një marrëdhënie më realiste me Ankaranë, deklaroi zyrtari më i lartë i BE-së për politikën e zgjerimit, Johannes Hahn.

Turqia u shpall zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE në vitin 1999, por negociatat janë zvarritur nga shtetet anëtare me justifikime dhe pengesa artificiale e politike duke shkaktuar zemërimin e Ankarasë.

Megjithatë kohët e fundit Turqia ka kërkuar të përmirësojë lidhjet me vendet evropiane.

“BE-ja duhet të kërkojë forma të tjera të partneritetit strategjik me Ankaranë”, deklaroi Hahn.

Ai mbështeti thirrjen e Presidentit francez, Emmanuel Macron, këtë muaj, drejtuar Unionit për të rishqyrtuar marrëdhëniet me Turqinë.

Gjatë viteve të fundit, Brukseli dhe Ankaraja kanë bashkëpunuar në fushën e emigrimit, ku Turqia ka dhënë ndihmën e saj për të parandaluar lëvizjen e emigrantëve në vend drejt Evropës në këmbim të financimit të BE-së, mes shumë marrëveshjeve të tjera.

“BE-ja premtoi një fond fillestar me vlerën 3 miliardë euro (3,64 miliardë dollarë) për të mbështetur refugjatët në Turqi, të cilat janë shpërndarë plotësisht”, deklaroi Hahn.

Gjithashtu BE-ja premtoi gjatë marrëveshjes së vitit 2016 liberalizimin e vizave për qytetarët turq dhe shqyrtimin e mundësisë së financimit të 3 miliardë eurove të tjera, nëse do të ishte e nevojshme.

Por vende si Gjermania, Franca, Austria dhe Suedia kanë hezituar të mbështesin projektligjin duke kërkuar që çdo fond shtesë të dalë nga fondet e BE-së.

“Kjo do të ishte e pamundur dhe e gabuar. Ata duhet të më tregojnë se nga do të vijnë këto para ose, më saktë, në cilat nga vendet e tjera partnere duhet të bëjmë shkurtime”, shtoi politikani austriak. /ATSH



Lajme të ngjashme