Presidenti Erdogan SHBA-së: Tërhiquni nga Menbixhi bashkë me organizatat terroriste

Gjatë një fjalimi drejtuar qytetarëve në provincën Erzurum, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës që bashkë me organizatat terroriste të tërheqin edhe trupat e tyre nga distrikti Menbixh në veri të Sirisë...

Presidenti Erdogan SHBA-së: Tërhiquni nga Menbixhi bashkë me organizatat terroriste

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi që trupat amerikane të tërhiqen bashkë me organizatat terroriste nga distrikti Menbixh në veri të Sirisë.

Gjatë një fjalimi drejtuar qytetarëve në provincën Erzurum, kreu i shtetit turk rikujtoi se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur më herët një propozim për bashkëpunim në lidhje me Menbixhin.

“Duke qenë se administrata (në SHBA) ndryshon vazhdimisht, nuk e dimë se çfarë rruge do të ndjekë kuadri i ri. Përse ka prani të SHBA-së në Menbixh? Për të zbuar DAESH-in. Tani atje s’ka më elementë të DAESH-it. A doli YPG-ja? Thanë se do ta nxirrnin brenda 3 muajsh. Por s’dolën. Nuk i dëbuan këta në anën lindore të Eufratit. Ne s’mund të durojmë zvarritjet. Të zotët e atyre territoreve janë arabët. Le t’i lejojmë që të vijnë dhe të hyjnë. Këtë u thamë atyre (amerikanëve). Ne s’kemi shkuar atje për pushtim, por për të ndihmuar vëllezërit tanë sirianë që të ndërtojnë një të ardhme të sigurt për veten e tyre. Nëse SHBA-ja del jashtë Menbixhit së bashku me organizatat terroriste, atëherë ne e realizojmë këtë punë shumë më lehtë. Me lejen e Allahut, vëllezërit tanë në Menbixh nuk do t’i bëjmë që të presin më tepër. Ne do t’i nxjerrim patjetër ata terroristë nga territoret që kanë pushtuar”, deklaroi ai.

Në vijim, Erdogan u ndal mbi operacionin “Dega e Ullirit” duke theksuar se Turqia e ka zgjidhur në një masë të madhe çështjen e Afrinit.

“Deri tani, ne kemi vendosur kontrollin tonë të plotë në tre të katërtat e distriktit. Kontrollojmë rreth 2.000 km2. Ne do të vendosim atje banorët e vërtetë të Afrinit, pasi s’kemi synime apo pretendime territoriale atje”, theksoi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme