Bashkëbisedim me Ambasadorin e Turqisë në Tiranë z. Murat Ahmet Yoruk

Murat Ahmet Yoruk: Turqia do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë.

Bashkëbisedim me Ambasadorin e Turqisë në Tiranë z. Murat Ahmet Yoruk

Bashkëbisedimi me temë "Marrëdhëniet turko-shqiptare", aktivitet i organizuar nga Instituti "Yunus Emre" në Tiranë, ka mbledhur së bashku studiues, studentë, përfaqësues të medias në Shqipëri, si dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

I ftuar ishte ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, i cili u ndal në disa çështje, si në marrëdhëniet mes dy popujve, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë, mbështetjen e Turqisë ndaj Shqipërisë, dhe çështje të tjera.

Ambasadori turk tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë janë tepër të ngjeshura dhe intensive.

"Me Shqipërinë, me vëllezërit tanë shqiptarë kemi tepër lidhje të ngushta historike dhe kulturore. Ky intensitet i marrëdhënieve historike dhe kulturore ka krijuar dhe afrimitete të veçanta midis shqiptarëve dhe turqve. Ne tashmë jemi integruar me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet tona me Shqipërinë i shikojmë nga një këndvështrim më kuptimplotë. Dëshirojmë që duke u frymëzuar nga e kaluara jonë të krijojmë një të ardhme gjithmonë më të diversifikuar, duke i zhvilluar marrëdhëniet midis dy popujve tanë", tha Yoruk.

"Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbështesim Shqipërinë"

Ai tha se marrëdhëniet ekonomike kanë një vend të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Kur erdha në Tiranë, unë vura re që marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Turqisë dhe Shqipërisë janë tepër intensive. Ka një numër të konsiderueshëm të kompanive turke që veprojnë në Shqipëri. Turqia është investitori i dytë për nga madhësia për investimet e saj në Shqipëri. Aktualisht në kompanitë turke që veprojnë në Shqipëri janë të punësuar 15 mijë shqiptarë. Objektivi im është rritja e numrit të kompanive turke që veprojnë në Shqipëri dhe rritja e investimeve të tyre", tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Ai shtoi se Shqipëria është një vend me një të ardhme gjithmonë e më të ndritshme dhe ka shumë arsye që Shqipëria ta shikojë me siguri të ardhmen e saj.

 

"Edhe nëse ka disa qarqe të caktuara dhe kryesisht të organizatës FETO, që qëllimet e mira të Turqisë, dëshirojnë t'i trajtojnë në këndvështrime të ndryshme, jo reale, duke i shtrembëruar, ne pa ia varur shumë asaj propagande të errët, vazhdojmë të punojmë bashkë me vëllezërit tanë shqiptarë për t'i realizuar sa më mirë objektivat tona", u shpreh ambasadori Yoruk.

Sipas tij, Shqipëria ka hyrë në një rrugë të re, në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimit Evropian (BE) dhe shtoi se, "Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbështesim Shqipërinë".

"Miqësia turko-shqiptare do të triumfojë mbi qëllimet e tyre të errëta"

Ai tha se qarqet e caktuara duke filluar nga FETO, "le të përpiqen sa të dëshirojnë për të ngjallur pakënaqësi në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, përpjekje të tilla do të dështojnë. Miqësia turko-shqiptare do të triumfojë mbi qëllimet e tyre të errëta. I kemi gjithmonë të hapura dyert për vëllezërit tanë shqiptarë".

Në lidhje me elementet e organizatës terroriste FETO në Shqipëri tha se do të vazhdojnë ta trajtojnë si çështje.

"Bisedimet për këtë çështje në nivele të caktuara po zhvillohen në mënyrë tepër pozitive. Qeveria e Shqipërisë edhe pas tentativës për grusht shtetit ishte një ndër qeveritë e para që mbështeti qëndrimin e Turqisë dhe dënoi tentativën për grusht shtet. Marrëdhëniet mbështeten në miqësinë, vëllazërinë dhe solidaritetin, prandaj ne nuk lejojmë që qarqe të caktuara përfshirë dhe FETO-n të lëshojnë hije mbi marrëdhëniet tona", deklaroi ambasadori turk në Tiranë. (AA)



Lajme të ngjashme