Bozdag: Rezoluta e Senatit amerikan nuk e prek Turqinë, të enjten na dorëzohen avionët F-35

Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i ekzekutivit turk, Bekir Bozdag, njoftoi të mërkurën se avionët luftarakë, F-35, që janë prodhuar për Turqinë, do t’i dorëzohen ditën e enjte vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Bozdag: Rezoluta e Senatit amerikan nuk e prek Turqinë, të enjten na dorëzohen avionët F-35

Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i ekzekutivit turk, Bekir Bozdag, njoftoi të mërkurën se avionët luftarakë, F-35, që janë prodhuar për Turqinë, do t’i dorëzohen ditën e enjte vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bekir Bozdag vlerësoi rendin e ditën në një kanal televiziv privat.

“Avionët F-35 janë prodhuar me një projekt shumëpalësh, pjesë e të cilit është edhe SHBA-ja. Turqia gjithashtu është palë dhe partnere e projektit F-35, njëlloj si Amerika. Kontaktet e nevojshme me SHBA-në janë realizuar dhe të enjten do të bëhet dorëzimi i avionëve F-35, të cilët janë prodhuar për Turqinë. Momentalisht s’ka asnjë problem në këtë kalendar”, deklaroi ai.

Zëdhënësi i Ankarasë zyrtare tha se vendimi i Senatit amerikan synon të ushtrojë presion në lidhje me sistemin e mbrojtjes ajrore, S-400, që Turqia ka blerë nga Rusia.

“Ne kërkuam edhe nga SHBA-ja, edhe nga vende të tjera sistemin e mbrojtjes ajrore, Patriot. E kërkuam pikërisht që të mund të integrohej me armët e NATO-s. Ndërkohë që ne s’kishim sistemin tonë të mbrojtjes ajrore dhe Turqia kishte nevojë për këtë, SHBA-ja s’na e dha këtë sistem. Ua kërkuam të tjerëve, por as ata nuk e dhanë. Atëherë çfarë duhet të bëjë Turqia? Mos vallë duhet ta lërë hapësirën ajrore të saj pa mbrojtje?  Dhe kur ju e siguroni këtë sistem nga një vend tjetër, ata ju thonë se nuk mund ta bëni diçka të tillë. Kjo është e papranueshme”, u shpreh Bozdag duke nënvizuar se vendi i tij i ka blerë raketat S-400 për vetëmbrojtje.

Turqia – kujtoi zv/kryeministri – e ka blerë sistemin S-400 duke përdorur të drejtat e garantuara nga ligji ndërkombëtar për vetëmbrojtje dhe në këtë pikë s’behet fjalë për një hap prapa.

“Rezoluta e Senatit amerikan për të bllokuar dërgesat e armëve nuk e prek Turqinë, nuk e ndal hovin e Turqisë në këtë aspekt. Turqia ka fuqi të vetëmbrohet”, theksoi Bozdag.

Duke iu referuar sërish rezolutës së Senatit amerikan, që synon bllokimin e shitjes së avionëve F-35 për Turqinë, zëdhënësi i Ankarasë zyrtare vuri në pah se çdo përpjekje për të kushtëzuar shitjen e këtyre avionëve me lirimin e priftit amerikan, Andrew Brunson, që përballet me akuza për terrorizëm në Turqi dhe lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO), përbën një “kërcënim”.

Dorëzimi i avionëve të Lockheed Martin do të zhvillohet në një ceremoni në Teksas, me avionët që do të vijnë në Turqi sapo pilotët të kenë marrë trajnimin.



Lajme të ngjashme