Presidenti Erdogan bëri uljen e parë në aeroportin e ri të Stambollit

Avioni presidencial “TC-ANK” bëri uljen e parë historike në pistën e parë të gjatë 3,750 metra dhe të gjerë 60 metra.

istanbul yeni havalimani1.jpg
istanbul yeni havalimani2.jpg
istanbul yeni havalimani3.jpg

Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri uljen e parë në aeroportin e ri të Stambollit, që është projekti më i madh në botë i aeroportit të ndërtuar nga e para.

Avioni presidencial “TC-ANK” bëri uljen e parë historike në pistën e parë të gjatë 3,750 metra dhe të gjerë 60 metra. Gjatë uljes Presidenti Erdogan ishte në kabinë me pilotët e avionit.

Në aeroportin e ri të Stambollit Presidenti Erdogan u prit nga ministri i Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, Ahmet Arslan, pilotët, ekuipazhi i kabinës dhe punonjësit e aeroportit.

Me rastin e uljes së parë ekipi i zjarrfikësve që ishte i pranishëm në aeroport avionin e Presidentit Erdogan e pritën me përshëndetje me ujë, që është traditë e aviacionit.

Pas mbërritjes në aeroport, Erdogan bëri një deklaratë të shkurtër nga kabina e pilotëve, duke thënë se ai është i kënaqur me ndërtimin e "një aeroporti madhështor" në Stamboll.

“Uroj të gjithë anëtarët e konsorciumit, të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e këtij aeroporti duke filluar nga arkitektët e deri tek inxhinierët. Me të vërtet me pistën, ndriçimin, godinën e terminalit u ndërtua një vepër madhështore. Uroj që ky aeroport të jetë i dobishëm për popullin dhe vendin tonë dhe ti sjellë dobi tërë njerëzimit. Përshëndes përzemërsisht popullin turk”, tha Presidenti Erdogan në mesazhin e tij.

Planifikohet që përurimi i fazës së parë të aeroportit të ri të bëhet më 29 tetor në përvjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.

Faza e parë e aeroportit, ndërtimi i së cilës ka përfunduar brenda 42 muajve, ofron mundësinë për 3 mijë e 500 ulje-ngritje në ditë, ka 100 mijë metra katrorë të sipërfaqes së gjelbëruar, parking për 25 mijë automjete, sisteme për transportin e bagazheve në gjatësi 42 kilometra, 143 ura të pasagjerëve, kapacitet për transportin e 5,5 milionë tonë mallra dhe një rrethojë të sigurisë të gjatë 62 kilometra.

Pritet që ky aeroport të kontribuoj me 73 miliardë lira turke në ekonominë e vendit dhe të sigurojë punësim për 225 mijë punonjës.



Lajme të ngjashme