Turqia zotohet të mbrojë firmat e saj nga trajtimi “i padrejtë” i SHBA-së

“Vendi ynë ka disa partnerë dhe tregje alternative”, deklaroi ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, duke premtuar se Ankaraja nuk do të frenohet kurrë për të mbrojtur firmat turke nga trajtimi i padrejtë i SHBA-së”...

Turqia zotohet të mbrojë firmat e saj nga trajtimi “i padrejtë” i SHBA-së

Ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, bëri me dije të mërkurën se kanë dyfishuar taksat për 22 artikuj në importin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke iu kundërpërgjigjur sanksioneve me tarifa doganore shtesë në vlerën e 533 milionë dollarëve.

Gjatë një fjalimi në Takimin Këshillimor për Marrëdhëniet Tregtare dhe Ekonomike Turqi-Afrikë, mbajtur në Ankara, ministrja Pekcan tërhoqi vëmendjen se bota po kalon nga një proces ku flitet për luftërat tregtare, duke shtuar se në këtë aspekt, kjo është një periudhë mjaft domethënëse për të biseduar në lidhje me bashkëpunimet ekonomike.

Ajo theksoi se balancat tregtare në botë janë në rrezik si pasojë e hapave të njëanshme “urdhëruese” që SHBA-ja ka ndërmarrë kohët e fundit.

“Çdo vend, përshi këtu edhe SHBA-në, mund të ketë ndjeshmëri dhe nevoja kombëtare, por në këtë pikë duhet patjetër të merret parasysh ekuilibri ndërmjet nevoja kombëtare dhe realiteteve ekonomike ndërkombëtare. Me procesin që ajo nisi në sektorët e hekur-çelikut dhe aluminit, SHBA-ja ka marrë përkarshi gati të gjithë botën duke hyrë në një atmosferë konflikti që s’do të jetë fitimprurëse për askënd”, deklaroi ministrja turke e Tregtisë.

Pekcan tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në arbitrazh me shumë vende, përfshi këtu edhe partnerët tregtarë më të afërt të tyre si Kanadaja e Meksika, në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

“Sot, në mesin e shteteve që janë ankuar për SHBA-në në OBT renditen gjithashtu Bashkimi Evropian, Kina, Norvegjia, Zvicra dhe India. Tashmë prej kohësh, SHBA-ja ka njoftuar po ashtu tërheqjen e njëanshme nga marrëveshja (bërthamore) me Iranin dhe aplikimin e sanksioneve dyfazore ndaj këtij vendi. Pasojat e këtyre sanksioneve nuk do të prekin vetëm Iranin. Këto sanksione do të dëmtojnë vendet e rajonit gjithashtu. Në thelb, masat detyruese në fjalë do të prekin edhe kompanitë amerikane”, shtoi ajo.

Sipas saj, SHBA-ja është një partner tregtar i rëndësishëm i Turqisë, por jo i vetmi.

“Vendi ynë ka disa partnerë dhe tregje alternative”, nënvizoi ministrja Pekcan dhe premtoi se Ankaraja nuk do të frenohet kurrë për të mbrojtur firmat turke nga trajtimi i padrejtë i SHBA-së”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi më 10 gusht dyfishimin e tarifave doganore për importet e aluminit dhe çelikut nga Turqia duke i rregulluar ato në 20 për qind dhe 50 për qind respektivisht.

Turqia gjithashtu ka rritur tarifat doganore për disa produkte të origjinës amerikane duke përfshirë alkoolin, produktet e duhanit dhe makinat, sipas një dekreti të ri presidencial të botuar herët të hënën në Fletoren Zyrtare.

Ruhsar Pekcan vuri në pah se tregtia dhe ekonomia nuk duhet të preken nga reagimet politike.

Ajo bëri thirrje për bashkëpunime ekonomike në vend të një bote me luftëra tregtare duke premtuar se rritja e investimeve turke në Afrikë mbetet një nga prioritetet e Ankarasë zyrtare.

“Makrodinamikat e ekonomisë së Turqisë janë të qarta. Ne jemi një vend me potencial të madh rritjeje ekonomike. Do të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për rritjen e prosperitetit ekonomik dhe punësimit; do ta vazhdojmë këtë edhe në vitet e ardhshme, sikurse në të kaluarën”, u shpreh Pekcan.

Në fund, ajo theksoi se efektet e zhvillimeve të fundit mbi lirën turke janë të përkohshme dhe të kufizuara.



Lajme të ngjashme